KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI

Transparenca dhe Kundër-korrupsioni

14-12-2017 - Prishtine

Publikohen te gjeturat e raportit Skanimi i Integritetit ne Sektorin e Drejtesise

Facebook  Twitter

Përmes një konference, sot KDI në partneritet me Lëvizjen FOL dhe Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor(CILC) ka shpalosur të dhënat që kanë dalë si rezultat i “Skenimit të Integritetit në Sektorin e Drejtësisë” në Kosovë. Panelistë në këtë konferencë ishin Gerrie Ëillems - Ambasadore e Holandës në Kosovë, Eva Erren - CILC, Nehat Idrizi - Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Blerim Isufaj – Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Altin Ademi – Këshilltar i ministrit të Drejtësisë.    

 

Gerrie Willems - Ambasadore e Holandës në Kosovë tha se kemi vendosur të mbështesim këtë projekt sepse Holanda i kushton rëndësi të veçantë forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë së bashku me integritetin si ndër kushtet kryesore për sundimin e ligjit. “Duhet të cekim se është bërë progres, megjithatë ende ka gjëra që duhet të behën, ndonëse është evidente që ka shumë sfida që duhet të tejkalohen. Kjo është ajo që BE duke përfshirë edhe Holandën pret nga Kosova, ti bindet sundimit të ligjit dhe të niset nga parimi që askush nuk është mbi ligjin. Integriteti në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm sepse së bashku me pavarësinë dhe paanshmërinë janë parakushte për krijimin e një gjyqësori efektiv dhe funksional. Unë shpresoj që ky raport, i cili ofron analizë të detajuar ligjore dhe të situatës faktike, të ndihmoj aktorët e sistemit gjyqësor që të ndërmarrin hapa për të i adresuar çështjet e integritetit”, tha ambasadorja Willems.

 

Nehat Idrizi kryesues i KGJK-së tha se institucioni që ai drejton ka shprehur qasje miqësore ndaj iniciativave për promovim të integritetit. “Ky raport do të na ndihmojë për të përmirësuar edhe integritetin në sistemin e drejtësisë. KGJK ka pasur shumë kritika, mirëpo këto zakonisht janë nga persona të cilët nuk janë të informuar sa duhet për punën e KGJK. Ne do ti marrim rekomandimet e këtij raporti dhe do të mundohemi të i zbatojmë, për përmirësimin e punës sonë”, tha Idrizi.

 

Eva Erren nga CILC  tha se në të gjitha shtetet ku funksionon sundimi i ligjit, ekzistojnë mekanizma për mbrojtjen e vlerave thelbësore të sistemit të drejtësisë: Paanshmëria. pavarësia dhe integriteti.  “Me këtë raport ne po mundohemi që të adresojmë me një qasje të strukturuar dhe sistematike, sfidat që sistemi Gjyqësor dhe Prokurorial hasin në Kosovë në lidhje me integritetin”, tha Erren, duke shtuar se përfundimet e nxjerra nga ky raport shpresojmë që do ti bëjnë bashkë të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, që të ndërmarrin hapa gjithëpërfshirës për të gjetur mjetet më të mira juridike për të adresuar çështjen e integritetit. Even tha se se presim që njëri nga aktivitetet tona vijuese do të jetë ndryshimi i kodeve të etikës për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial në përputhje me të gjeturat e këtij raporti. 

 

Blerim Isufaj, kryesues i KPK tha se ne kontribuojmë në mënyrë aktive për zhvillimin e trajnimeve për prokurorë prandaj edhe mediat dhe shoqëria civile duhet të jenë partneri ynë në mënyrën që të përmirësohet performanca e prokurorisë. “Ky hulumtim do të jetë një bazë e mirë për KPK për të ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë. Ne jemi të angazhuar në luftimin e korrupsionit, duke themeluar një institut të veçante për këtë çështje. Korniza ligjore është shumë e nevojshme për punë të mirë, por edhe kushtet profesionale, si dhe kuadri profesional është shumë i nevojshëm”, tha Isufaj duke shtuar se 25 prokurorë të rinj do të përfundojnë trajnimin tani dhe nga janari i vitit 2018 do të fillojnë të merren me raste. Isufaj tha se do të rekrutojë edhe 90 bashkëpunëtor profesional dhe zyrtarë ligjor si dhe do të funksionalizojnë sistemin elektronik për menaxhimin e rasteve.    

 

Altin Ademi, këshilltar i ministrit të drejtësisë tha se sundimi i ligjit është prioriteti numër një 1 i ministrit të drejtësisë. “Do të hartohen 4 ligje në pako, ku bën pjesë edhe ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat ligje do të shërbejnë për të siguruar një pavarësi të plotë të gjyqësorit dhe sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies së këtij sistemi”.

 

Arben Kelmendi nga KDI, tha se hulumtimet e mëhershme të KDI-së dhe FOL-it kanë theksuar nevojën për qasje më të strukturuar dhe sistematike për të adresuar sfidat në sektorin gjyqësor dhe prokurorial. “Të gjeturat në këtë raport janë një kontribut i madh për agjendën në reformën ligjore në Kosovë”, tha Kelmendi.   

 

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se shumë raporte deri me tani kanë matur perceptimin e qytetarëve mbi integritetin në sistemin e drejtësisë, mirëpo kanë munguar raportet që tregojnë për perceptimin e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sistemin pjesë e cilit janë. “CILC, FOL dhe KDI kanë realizuar një skenim të integritetit në sektorin e drejtësisë ku janë përfshirë 229 gjyqtarë dhe 112 prokurorë, në një hulumtim që për herë të parë vë në dukje pjesë të ndjeshme të sektorit të drejtësisë”, tha Zulfaj.

 

Ndërkaq, Agon Maliqi prezantoi të gjeturat e këtij hulumtimi tha se ky studim i veçantë i integritetit u përpoq të kuptonte se sa respektohen standardet etike brenda

sistemit gjyqësor duke përfshirë edhe një perspektivë të tretë. Gjegjësisht, ai synon që të vlerësojë respektimin e standardeve etike dhe profesionale duke shqyrtuar perceptimet e aktorëve kryesorë të përfshirë në sistemin gjyqësor - përkatësisht gjykatësit dhe prokurorët.

 

 

Projekti është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

<< Kthehuni mbrapa




LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (16)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (0)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2018 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved